Kryetari Shaqir Totaj priti sot veteranët e futbollit, të Klubit KVF “Prizren Masters”, të cilët për nder të dhjetë vjetorit të themelimit kanë organizuar turneun “Prizren Masters Cup 2025”, në stadiumin e qytetit “Përparim Thaqi”.
Kjo ngjarje e veçantë ka bashkuar veteranët e kombëtares së Shqipërisë, ata të kombëtares së Kosovës dhe veteranët e KVF “Prizren Masters”, të cilët kanë treguar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj futbollit.
“Turneu është më shumë se një garë sportive – është një hap i madh për ruajtjen e historisë dhe zhvillimin e futbollit, që inkurajon brezat e rinj të përfshihen në aktivitete sportive. Mbetemi të përkushtuar për t’i mbështetur ngjarjet e këtilla sportive që ndikojnë drejtpërdrejt në gjallërimin e qytetit dhe forcimin e marrëdhënieve përmes sportit” – u shpreh Kryetari Totaj.