Këtë ditë të rëndësishme historike, 26-vjetorin e Çlirimit të Prizrenit, Kryetari Shaqir Totaj së bashku me zyrtarë institucionalë, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve e të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë, e filluan me homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, për ta nderuar veprën e tyre madhështore për lirinë e Kosovës.
“Dëshmorët e kombit e kanë vendin më të veçantë në historinë e lavdishme të Kosovës, pasi ata dhanë më të shtrenjtën – jetën – për liri. Le të na shërbejë kjo ditë si kujtesë për sakrificën e madhe të popullit dhe për organizimin e jashtëzakonshëm politik e ushtarak të vajzave dhe djemve që u vunë në mbrojtje të atdheut. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!” – u shpreh Kryetari Totaj.