Kryetari Shaqir Totaj priti sot Anëtarët e Komitetit Evropian të Vlerësimit të ACES, të cilët po qëndrojnë në Komunën e Prizrenit për procesin e vlerësimit të infrastrukturës sportive në kuadër të kandidaturës sonë për titullin “European City of Sport 2026”, me ç’rast u prezantua edhe dokumenti i përgatitur për kandidaturën e Prizrenit për këtë ngjarje të madhe sportive.
Në kuadër të kësaj vizite, bashkë me komisionin vizituan disa qendra sportive brenda qytetit dhe në fshatra, ku zhvillohen aktivitete të shumta në disiplina të ndryshme sportive.
Komisioni do të vazhdojë vizitën edhe nesër, ku do të ketë mundësinë të njohë më nga afër disa nga terrenet sportive më të rëndësishme dhe klubet ikonike të qytetit tonë: Klubin e Basketbollit “Bashkimi” dhe Klubin e Futbollit “Liria”, të cilat kanë një histori të gjatë dhe kontribut të çmuar në sportin prizrenas dhe atë kombëtar.
Prizreni po dëshmohet si një komunë që mbështet dhe investon në sport, në funksion të shëndetit, rinisë dhe zhvillimit komunitar.