Kryetari Shaqir Totaj nënshkroi sot Memorandum Bashkëpunimi me Innovation & Training Park (ITP Prizren) dhe Makerspace Innovation Center Prizren (MICP) për bashkëfinancimin e projektit “Digital Innovation Gateway for Kosovo – DIG4K” (Porta e Inovacionit Dixhital për Kosovën).
Projekti DIG4K synon ofrimin e shërbimeve të digjitalizimit dhe transformimit digjital për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë, si dhe për një pjesë të sektorit publik.
Ky bashkëpunim targeton në veçanti bizneset e regjionit të Prizrenit, të cilat tashmë janë duke përfituar nga shërbimet e projektit, ndërsa përmes bashkëfinancimit nga Komuna e Prizrenit u mundësohet të avancojnë përtej mbështetjes bazë dhe t’i digjitalizojnë proceset e tyre, në përputhje me nevojat dhe objektivat e tyre zhvillimore.
“Ftoj të rinjtë dhe bizneset që ta ndërtojmë së bashku një ekosistem më të fuqishëm inovacioni, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi, punësimi e transformimi digjital për qytetin dhe regjionin tonë” – u shpreh Kryetari Shaqir Totaj.