Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik e Komunës së Prizrenit, si një ndër qendrat më të rëndësishme kulturore dhe historike në Kosovë, mirëpret çdo vit qindra mijëra vizitorë nga mbarë bota. Qyteti ynë vazhdon të jetë një urë lidhëse mes kulturave, feve dhe traditave, duke promovuar vlerat e trashëgimisë sonë kulturore dhe mikpritjen qytetare që e karakterizon Prizrenin ndër shekuj.
Megjithatë, viteve të fundit është vërejtur me shqetësim fenomeni i pranisë dhe operimit të guidave ilegale turistike nga shtete të ndryshme, të cilat ushtrojnë aktivitetin pa certifikimet dhe autorizimet përkatëse.
Përveç dëmtimit të konkurrencës së ndershme ndaj guidave lokale të certifikuara, në raste të caktuara janë evidentuar edhe interpretime të pasakta e shtrembërime të fakteve historike. Kjo gjë dëmton drejtpërdrejt narrativën dhe prezantimin autentik të trashëgimisë së vendit tonë. DTZHE-ja sqaron se rregullimi i kësaj fushe mbetet kompetencë e nivelit qendror.
Edhe pse Ligji për Turizmin është në fuqi, ende mungon një rregullore e veçantë që do të mundësonte adresimin dhe mbikëqyrjen më efikase të veprimtarisë së guidave turistike në përgjithësi, e në veçanti për ata të huaj.
Një kornizë e tillë ligjore është e domosdoshme për mbrojtjen e interesit publik, ruajtjen e integritetit historik e kulturor si dhe për mbështetjen e profesionistëve vendorë të certifikuar.
Pas takimeve dhe diskutimeve me palë të ndryshme të interesit, përfshirë përfaqësuesit e Shoqatës së Guidave Turistike të Kosovës (GUIDEKS), Komuna e Prizrenit rithekson përkushtimin e vet institucional për gjetjen e një zgjidhjeje konkrete ndaj këtij fenomeni shqetësues.
Do të vazhdojmë të angazhohemi maksimalisht që Prizreni të prezantohet me dinjitet, profesionalizëm dhe autenticitet para çdo vizitori.