Nën patronazhin e Kryetarit Shaqir Totaj, sot, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, u mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lumni Mustafë Lushaj – Lumi.
“Ishte moment nderimi dhe kujtimi për një njeri që gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, i cili la gjurmë të çmuara përmes angazhimit, karakterit, energjisë dhe shpirtit të tij të jashtëzakonshëm.
Lumi ishte nga ata njerëz që nuk kujtohen vetëm për atë që kanë bërë, por edhe për mënyrën se si kanë jetuar dhe për ndikimin që kanë lënë te njerëzit. Kontributi, miqësia dhe kujtimi për të do të mbeten gjithmonë të gjalla.
Një vit pa të, por jo pa kujtimin dhe respektin për veprën e tij.
U prehsh në paqe, Lumi! Kujtimi për ty do të jetojë përherë!” – u shpreh me këtë rast Kryetari Totaj.
































