Komisioni i përbashkët mes Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore të breshërit dhe vërshimeve në kultura dhe prona bujqësore, ka përgatitur raportin përfundimtar pas vlerësimeve në terren.
Evidentimi i dëmeve është bërë në datat 22-25 maj në Medvec, Zojz, Randobravë, Krushë e Vogël, Sërbicë e Poshtme, Landovicë, Nashec, Atmaxhë, Kobaj, Vlashnje, Caparc, Piranë, Gjonaj dhe fshatrat përreth.
Metodat që janë aplikuar gjatë vlerësimit kanë qenë: përcaktimi i kulturës, sipërfaqja e kulturës së dëmtuar, rendimenti mesatar për tri vitet e fundit, përqindja – shkalla e dëmtimit dhe shqyrtimi i çdo të dhëne në baza individuale.
Sipas kësaj, komisioni ka dalur në përfundim duke evidentuar dëme në 393 fermerë, ku shuma e përgjithshme e dëmit arrin në 1,093,582 euro.
Raporti i dëmeve të hartuar nga komisioni i është dërguar Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila do të jetë përgjegjëse për kompenzimin e tyre.