Turizmi është hallkë e rëndësishme në zinxhirin e zhvillimit ekonomik, bazuar në pasurinë e jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore dhe kapaciteteve turistike që ka Prizreni.
Në qytetin tonë po qëndrojnë afro 40 përfaqësues të agjencive turistike nga Turqia, të njohura me emrin grupor “Türsab”, që janë të dëshmuara në gjithë Evropën për organizimin e turneve turistike dhe Kryetari Shaqir Totaj i mirëpriti për të diskutuar për futjen e Prizrenit në ofertat e tyre turistike, në bashkëpunim me agjencitë turistike të qytetit.
Sivjet parashihet të ndjehen rezultatet e para të këtij bashkëpunimi, ndërsa, qeverisja aktuale lokale do të vazhdojë të krijoj ura të këtilla bashkëpunimi që do të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.
Turizmi është mënyrë e mirë për ta arritur shkëmbimin e turistëve e për ta pasur Prizrenin në hartat e njohura turistike botërore, për të cilën do të shërbejnë me sukses edhe projektet infrastrukturore që janë në realizim e sipër, në tërë territorin e Komunës së Prizrenit.
️Gjatë ditës, mysafirët turq zhvilluan takime me përfaqësues të hoteleve, restoranteve, guidave e zyrave të turizmit në Prizren, ku shkëmbyen përvojat dhe kontaktet për takimet e organizimet e së ardhmes.