Me mbajtjen e dëgjimit publik me OJQ-të, Shoqatat e Biznesit, të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit ka përfunduar dëgjimet për vitin 2022, për përgatitjen e buxhetit të komunës për 2023.
Në këtë dëgjim, përveç qytetarëve të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, nënkryetari Kujtim Gashi, Antigona Bytyqi kryesuese e kuvendit komunal dhe drejtorë të drejtorive komunale. Ky dëgjim publik u bë në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, në Prizren.
Kryetari Shaqir Totaj, falënderoi të pranishmit duke thënë se “Jemi në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin 2023 dhe për këtë jemi këtu që t’i marrim kërkesat që ju keni e që më pastaj këto kërkesa, duke u bazuar edhe në mundësitë që kemi, t’i fusim në buxhetin final. Jemi të hapur për bashkëpunim dhe se me bashkëpunimin tuaj do të bëjmë një buxhet sa më të mirë dhe sigurisht gjithëpërfshirës.
Kërkesat e të pranishmëve në dëgjim: Të bëhet një kod buxhetor i veçane për rini, ndërtimi i një qendre rinore, rregullimi i 25 lokaleve për zejtarë, rregullimi i një teatri për fëmijë, përgatitja e rregullores për punë vullnetare dhe rregullimi i një galerie.
Grupi punues, i formuar me vendim të Kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, ka përgatitur një dokument të veçantë të buxhetit dhe ndarjeve buxhetore në pika të shkurtra me ç’rast, iu shpërnda të gjithë të pranishmëve.
Për mbajtjen e këtij degjimi publik do të përgatitet raport dhe procesverbal, i cili do të publikohet në ueb faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit, në afatin ligjor, në rubrikën “dëgjime buxhetore”.