Në malet e Pashtrikut sot u organizua Festivali i Motoçiklizmit, ngjarje që bashkoi adrenalinën, sportin dhe promovimin e turizmit malor.
Ky festival, përveç karakterit sportiv dhe argëtues, synon promovimin e bukurive natyrore dhe potencialit turistik që ofrojnë malet e Pashtrikut, duke e kthyer Hasin në një destinacion të veçantë për vizitorët dhe adhuruesit e aventurës.
Eventin e hapi kryetari i “Enduro Pashtriku”, Ahmet Himaj, ndërsa në këtë ceremoni fjalë rasti mbajtën edhe drejtori për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik, Adem Morina, si dhe kryetari i OVL UÇK-së, Xhevdet Thaçi. Ata falënderuan organizatorët, klubet e motoçiklizmit, pjesëmarrësit dhe të gjithë mbështetësit që kontribuan në realizimin e këtij festivali.
Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik dha mbështetje të plotë për këtë aktivitet, i cili nga sot shpallet edhe festival tradicional, që të vazhdojë çdo vit si ngjarje promovuese për turizmin dhe sportin në rajonin e Hasit.