Kryetari Shaqir Totaj mori pjesë sot në Konferencën Nismëtare të projektit “E Ardhmja e Saj”, iniciativë e rëndësishme që synon fuqizimin e grave sipërmarrëse dhe krijimin e politikave më gjithëpërfshirëse për zhvillimin ekonomik.
Me këtë rast, Kryetari Totaj ritheksoi përkushtimin e Komunës së Prizrenit për ta mbështetur ndërmarrësinë e grave, duke e konsideruar atë faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik lokal dhe krijimin e mundësive të reja për komunitetin.
“Komuna e Prizrenit do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të krijuar kushte sa më të favorshme për fuqizimin ekonomik të grave dhe avancimin e rolit të tyre në shoqëri” – u shpreh Kryetari Totaj.
Projekti “E Ardhmja e Saj – Fuqizimi i Grave Sipërmarrëse në Kosovë” financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), zbatohet nga organizata joqeveritare PREDA Plus, në partneritet me WEntrepreneur dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bund (ASB) Köln.